Raportimi financiar i përvitshëm është një standard që Grupi BALFIN ka kohë që po e zbaton, por tashmë është një detyrim edhe ligjor. Në një intervistë shpjeguese, Drejtoresha e Financës dhe anëtarja e Bordit Drejtues të Grupit BALFIN, Blerina Daka, tregon mbi standardin që duhet
të ndiqet në raportimin e arritjeve financiare të bizneseve në vend.
– Pse shoqëritë ndërkombëtare i japin gjithnjë e më shumë fokus përgatitjes së
raporteve vjetore të financave dhe ecurisë së kompanisë?
– Korporatat ndërkombëtare e shikojnë këtë raport si një mundësi për të transmetuar te partnerët, publiku, ortakët dhe grupet e interesit, informacione të rëndësishme për
korporatën në një formë sa më të plotë, të qartë dhe transparente. Ky raport është një shans i mirë për të prezantuar ecurinë e zhvillimit në sektorët përkatës, performancën vjetore dhe arritje të rëndësishme të korporatës duke shkuar përtej shifrave financiare që mund të lexohen në pasqyrat financiare të audituara, kryesisht nga lexues profesionistë. Raporti Vjetor paraqet një pamje më të gjerë të biznesit, duke shpalosur kulturën e brendshme të korporatës, sa mire ajo qeveriset, si menaxhon riskun, apo si trajton
komunitetet ku ajo kryen biznes. Nëse do të njohësh një korporatë, materiali i parë që duhet të lexosh janë Raportet Vjetore. Sigurisht, në thelb të tyre është të tregojnë sa e
suksesshme është korporata në të bërit biznes, duke evidentuar elemente të tillë si fitimin vjetor, xhiron apo vlerën e kapitalizimit në treg, që janë të rëndësishme për ortakët dhe investitorët e korporatës. Ajo u jep atyre si dhe të gjithë partnereve, duke përfshirë organizmat financuese, furnitorët dhe klientët, indikacion dhe siguri për investimin e tyre në atë korporatë. Por përtej kësaj, mund të arrish të kuptosh, edhe se sa mirë kjo korporatë për shembull trajton stafin e saj, sa shumë ndihmon komunitetet apo mbështet
çështje sociale. Reputacioni dhe perceptimi i publikut për sjelljen e një korporate kundrejt mbrojtjes së mjedisit, bashkëveprimit me komunitetet, trajtimit tët burimeve njerëzore, korrupsioni apo çështje të ngjashme ndikojnë gjithnjë e më shumë në suksesin e saj.
Raporti vjetor është një mjet shumë i mirë për të transmetuar të gjitha këto vlera tek publiku në një formë të kuptueshme dhe të prekshme. Korporatat ndërkombëtare, tashmë
kanë kuptuar se transparenca në raportimin financiar është një element kyç në suksesin e tyre. Ajo përkthehet në një klimë pozitive që krijohet rreth biznesit dhe rrit
besueshmërinë në komunitetin e investitorëve duke u përkthyer në një avantazh konkurrues në terma afatgjatë për korporatën.
-Që kur ka filluar Grupi BALFIN të përgatisë raportet vjetore të financave dhe si do të vazhdohet më tej?
– Ne i pararendëm dhe filluam punën përpara se përgatitja dhe publikimi i raportit vjetor të bëhej kërkesë ligjore në Shqipëri për subjektet e ashtuquajtura të interesit publik, ku
kategorizohet edhe Grupi BALFIN. Raportin e parë ne e kemi publikuar në vitin 2018 duke u bazuar në disa nga shembujt më të mirë të korporatave ndërkombëtare. Nëse
raporti i vitit 2018 ishte vetëm në versionin digjital dhe i publikuar online, raporti i vitit 2019 u vendos që të bëhej publik në të dy versionet, i printuar dhe online për të arritur sa më shumë dhe sa më mirë të interesuarit. Ne jemi të përkushtuar që të mbajmë një komunikim sa më transparent me publikun dhe partnerët tanë pasi e shikojmë si një
mënyrë efektive për të transmetuar vlerat tona dhe për të shpjeguar se çfarë përfaqëson
Grupi BALFIN dhe përse ia vlen të bësh biznes me Grupin. Edhe në përgatitjen, certifikimin dhe publikimin e raportit vjetor Grupi BALFIN mbetet një pionier duke zbatuar i pari standardet ndërkombëtare në raportim. Ne kemi shkuar një hap më tej sesa standardi që kërkon ligji shqiptar, ku ne operojmë, duke e matur veten me standardet e nivelit ndërkombëtar. Përgatitja e raporteve vjetore tashmë është kthyer në një normë të brendshme të standardit tonë të raportimit.
Në një të ardhme jo të largët ne do të rrisim frekuencën e përgatitjes së raporteve financiare për periudha më të shkurtra se një vit. Kjo do të shkojë hap pas hapi me
shtrirjen tonë si grup dhe aksesimin e tregjeve ndërkombëtare financiare, ku kërkesat
rregullatore për standardet e raportimit financiar janë më të larta. Hapi i mëtejshëm që ne shohim në të ardhmen është, realizimi i ‘credit rating’ për kompaninë mëmë apo pjesë të
strukturave të grupit në nivel sektorial, nga kompani prestigjioze të credit rating, që është një tregues i besueshmërisë për të investuar apo financuar Grupin në tërësi apo pjesë të veçanta të tij. Gjithashtu, kemi ngritur kapacitetet e brendshme që ti përgjigjemi çdo kërkese rregullatore për raportime shtesë që mund të burojnë nga adoptimi i ligjeve të reja brenda vendit.
– Kush e vërteton saktësinë e këtyre raporteve dhe kujt i shërbejnë ato?
– Informacioni financiar por dhe ai qe lidhet me qeverisjen e brendshme dhe ecurinë e biznesit, të cilin e përmban raporti vjetor që publikon grupi, konfirmohet nga auditorët e
pasqyrave financiare të konsoliduara të Grupit BALFIN. Ky është dhe një kusht ligjor për raportimin financiar në Shqipëri sipas Ligjit për Kontabilitetin dhe Raportimin Financiar. Për grupe të organizuara si holding apo konglomerat biznesesh, si Grupi BALFIN, është
kërkesë ligjore përgatitja e pasqyrave të konsoliduara të audituara, së bashku me raportin e ecurisë që certifikohen nga auditoret përkatës. Për sa i përket informacioneve të tjera që përmban raporti vjetor, ato mund të konfirmohen përmes burimeve zyrtare apo informacioneve të aksesueshme në publik. Për shembull, nëse ne themi në raport se kemi
kontribuar me 1.2 milionë euro përmes shoqërive të Grupit në mbështetje të situatës së tërmetit, kjo lehtësisht mund të konfirmohet përmes të dhënave që publikon Fondi i
Solidaritetit për Tërmetin dhe subjektet përfituese të donacioneve direkte me rindërtimin e shtëpive. Raporti vjetor, siç jam shprehur më sipër, u shërben të gjitha grupeve te interesit, por më së shumti institucioneve financiare dhe partnerëve të biznesit. Kur ne u përqasemi bankave ndërkombëtare për të na financuar në projekte të rëndësishme, në majë të listës së tyre të kërkesave është nëse kemi përgatitur raportin vjetor dhe pasqyrat e konsoliduara financiare të Grupit. Ky raport i ndihmon dhe u jep atyre informacion për të kuptuar performancën e biznesit dhe për ku është drejtuar Grupi në të ardhmen.
– Në dijeninë tuaj, a janë të shumta kompanitë në Shqipëri dhe në rajon që e bëjnë këtë dhe cili do të ishte hapi i mëtejshëm për një kompani të madhe në kuadër të
transparencës financiare, përveç raportit vjetor?
– Përgatitja e raportit vjetor në Shqipëri është kryesisht standard që e zbatojnë kompanitë apo fondacionet ndërkombëtare që zbatojnë standardet e kompanive mëmë jashtë vendit, apo biznese që operojnë në kushte të forta rregullatore si sektori i bankave, sigurimeve
apo telekomunikacioneve. Por kjo nuk është një praktikë dhe shumë e përhapur në bizneset me aksionerë shqiptarë. Kjo, për disa arsye. Së pari, kërkesa ligjore për përgatitjen e raportit vjetor është bërë efektive vetëm në vitin financiar 2019 dhe si çdo gjë e re, kërkon një periudhë adaptimi. Së dyti buron nga emancipimi i këtyre bizneseve për të kuptuar përfitimin që sjell raporti vjetor në kuadër të ndërtimit të partneriteteve të reja në biznes, qofshin këto banka financuese apo klientët e tyre, apo për reputacionin e
vetë kompanisë. Së treti, çdo standard kërkon dhe alokimin e burimeve të brendshme, qoftë financiare, njerëzore dhe kohore për t’iu kushtuar përgatitjes së raporteve cilësore
dhe në një format të plotë dhe të detajuar. Për sa i përket rajonit, flas këtu për shtetet që na rrethojnë në Ballkanin Perëndimor, situata është e ngjashme me Shqipërinë, pasi edhe ecuria në zhvillimin e legjislacionit që rregullon raportimin financiar, por edhe përqasja e biznesit ndaj raportimit financiar është e ngjashme.