Zëvendës/kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një reagim për mediat, tha se transporti i mbetjeve të rrezikshme të Kurum u procesua nga koncesionarët evropianë që operojnë në Portin e Durrësit.
“I bëj thirrje mediave të tregohen të kujdesshme teksa analizojnë këtë çështje, që përveç delikate, është shumë e komplikuar nga ana juridike dhe proceduriale. Analizat që kam dëgjuar afektojnë imazhin e Shqipërisë. Duhet të presim vendimet sa i përket kësaj çështjeje të rëndësishme mjedisore. Çështja ka marrë emrin: Porti i Durrësit. Porti dhe mbetjet janë dy gjëra të ndryshme. Kam parë që përfshihet Autoriteti Portual dhe disa ministri. Transporti i mbetjeve ka nisur që në 1998, ka një protokoll të mirëfilltë, nuk është asgjë e re, ka tranzitim dhe transportim të mbetjeve të rrezikshme që janë të koduar në bazë të kodeve të transportit të këtyre mbetjeve.
Ajo që është më e rëndësishme është se Autoriteti Portual nuk ka lidhje me këtë proces, se janë procesuar nga koncesionarët evropianë që operojnë në Portin e Durrësit. Janë dy entitete konkurrente që ta keni të qartë”.
Duke pohuar se qeveria shqiptare ka pasur vazhdimisht konflikte me Kurum, ministrja Balluku tha se kompania është e detyruar të japë sqarime për këtë çështje sociale.
“Qeveria shqiptare nuk është hera e parë që ka konflikte me Kurum, edhe para pak ditësh kemi pasur fitoren e një gjyq për koncesionin në Portin e Durrësit dhe shkeljet që Kurum ka bërë. Do të jetë i detyruar që të japë shpjegimet e duhura, në këtë rast flitet për territor e meta, në ditët në vijm do të ketë reagim për këtë çështje sociale që na shqetëson shumë”.