Rreth 200 të burgosur në burgun Marassi, në Xhenova të Italisë, nisën një trazirë pasditen e kësaj të mërkure. Mediat përtej Adriatikut raportojnë se dhjetëra të burgosur kanë dalë nga qelitë e tyre dhe disa kanë arritur te barriera që i paraprin murit rrethues.

Disa njësi të policisë së burgut kanë ndërhynë, teksa Policia ka organizuar një kordon sigurie edhe jashtë burgut, në rast se do të arrijë ndonjë prej të burgosurve të arratiset. Dy oficerë u plagosën gjatë këtyre trazirave, ku të dy u dërguan në Spitalin Galliera. Jashtë mureve të burgut, ka karabinierë, policë dhe Guardia di Finanza me pajisje speciale. Po ashtu katër ambulanca janë në vendngjarje.

Janë rreth njëqind të burgosur nga seksioni i dytë që filluan protestat, por stafi administrativ është siguruar, ndërsa oficerët janë të veshur me uniforma mbrojtëse. Stafi mjekësor i burgut u vendos në siguri në disa dhoma që të burgosurit nuk mund t’i arrinin, ndërsa disa mësues të jashtëm u detyruan të largoheshin.

“Kam dhënë mësim këtu për 18 vjet dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha njëra prej tyre, Simonetta Colello.

Fokusi është te një grup të burgosurish, rreth njëzet, të cilët u mblodhën në zonën e shëtitores, më e ekspozuara ndaj rrezikut të arratisjeve. Për siguri, policia lokale e Xhenovës mbylli rrugët përreth burgut.

Trazirat shpërthyen kur një grup të burgosurish u rebeluan kundër oficerëve, duke shkaktuar kaos. Ndër hipotezat rreth trazirave, është ajo e një larjeje hesapesh midis të burgosurve pas një sulmi që ndodhi ditët e fundit.