I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot e viziton Serbinë. Zyrtari i lartë amerikan, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, do të vizitojë edhe Kosovën gjatë kësaj jave.

Në Beograd, Escobar është paraparë të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Serbi do të zhvillohet tre ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, Escobar do të qëndrojë në Beograd pas vizitës dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, po ashtu javën e kaluar qëndroi në Kosovë, për të përgatitur takimin e Ohrit.

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.

Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.

Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimine propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.

Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Megjithatë, Lajçak deklaroi më 14 mars se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kushti kryesor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja e po atij viti nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.

Por, më 13 mars, Kurti pranoi se Kosova është duke trajtuar 15 modelet e ofruar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin, në mënyrë që “ne do të mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë”.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta krijojë Asociacionin, Si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli janë shprehur kundër krijimit të një asociacionin që do t’i ngjasonte Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu siç ka shprehur droje Kurti.

Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.