Policia e Mirditës ka arrestuar tre persona në kuadër të operacionit “Proicessing”, ndërsa ka sekuestruar 40 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare.
Të arrestuarit janë vëllezërit Martin Zefi dhe Erjon Zefi dhe Akil Reçi, të cilët dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike dhe kanë prodhuar lëndë narkotike, me qëllim shitjen, në bashkëpunim me shtetasit P. M. dhe K. P., të arrestuar 1 javë më parë, në kuadër të fazës së parë të operacionit të koduar “Processing”.
Gjatë fazës së parë u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf, Mirditë.
Gjatë fazës së dytë, shërbimet e Policisë kanë gjetur afër një banese të vjetër në fshatin Shëngjergj, Mirditë, dhe kanë sekuestruar rreth 40 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare që dyshohet se përdoreshin nga autorët për veprimtarinë kriminale.
Operacioni policor i koduar “Processing” vijon, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./vizionplus.tv