Firma e mirëmbajtjes ishte në dijeni të defekteve
“E dinin që sistemi i teleferikut kishte nevojë për ndërhyje të thella riparuese, por nuk vepruan”. Ky është përfundimi i deritanishëm i prokurorëve italianë për incidentin e këputjes së kavos së teleferikut, që u mori jetën 14 vetëve në fundjavë.
Herët mëngjesin e së mërkurës, prokuroria arrestoi tre persona, pronarin e kompanisë që administron teleferikun, inxhinierin drejtues të shërbimit të mirëmbajtjes dhe një punonjës tjetër. Seancat e pyetjeve mbaruan të mërkurën në mëngjes rreth orës 16:00.
Prokurorja publike e provincës së Verbania-s, Olimpia Bossi, thotë se të dyshuarit kanë kryer “veprime me dashje” që i vuri vizitorët në rrezik.
Hetuesit dyshojnë se sistemi i frenimit është sabotuar në një farë mënyre, diktuar nga arsye ekonomike dhe për të shmangur vonesat në rast emergjencash pasi në çdo rast defekti kabina duhet të kishte qëndruar në ajër pa lëvizur.
Prokurorja Bossitha gjithashtu se frenat e emergjencës u çaktivizuan pak para incidentit duke vendosur mbi to një pajisje që në akt-akuzën e dërguar në gjykatë referohet si “pirun”, me qëllim për të shmangur vonesat e shërbimit. U zbulua gjithashtu se një muaj më parë ka pasur problem me sistemin kryesor të frenimit.
Hetimet treguan se kabina pasi u bllokua ra nga lartësia me një shpejtësi prej 100 km në orë.
Prokuroria ka shtuar akuzën e vrasjes me dashje që në rast se vërtetohet në gjykatë, mund të sjellë një dënim deri në 10 vjet burg.