Nga Astrit Patozi
Ia mbërritëm më në fund edhe kësaj dite, që Lulzim Basha të flasë për rrezikun e trekëndëshit të Bermudës. Të drejtë ka Lul parimori, por kjo vlen vetëm për peshkatarët, që zgjedhin të gjuajnë brenda hapësirës së tij. Të cilët mund ta paguajnë edhe me jetë çmimin e lundrimit në mes të rrezikut, por ata e dinë qysh në fillim dhe e kanë bërë vetë atë llogari.
Por jo për për të tjerët. Dhe aq më pak për Lulin, si pirat tokësor, i cili ka 16 vjet duke pritur në breg çdo anije, që shpëton nga stuhitë, për t’u marrë atyre, jo vetëm peshkun, por për t’u shkulur edhe rrjetat, kur është mundësia.
Ndaj edhe sot, jo rastësisht, menjëherë pas metaforës për Bermudën, u lexuan në parlament disa emra “peshkatarësh” me potencial të madh për t’u kollitur në doganën kurdoherë vigjilente të kunatit. Një faturë e kripur, të cilën ata tashmë të gjithë e kanë mësuar se i pret përherë në port, edhe në rastin fatlum po të arrijnë të shpëtojnë gjallë nga trekëndëshi i vdekjes./Egnatia news