Prokuroria ka lëshuar një urdhër arresti për Spiro Çabirin, bashkëpronari i hotelit “Bizantin” që u shkatërrua nga shpërthimi me eksploziv në Sarandë. Abc News mëson se nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se ai ka dalë nga hoteli dy minuta para shpërthimit të fuqishëm.

I arrestuar për vënien e tritolit është i biri, 36 vjeçari Sotir Çabiri. Shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë konflikti i vazhdueshëm që kishte babai i tij me ortakun Dhimitër Evangjeliu. Pas një procesi gjyqësor që nga 2002, gjykata kishte vendosur se pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Evangjeliut.

Gjithashtu janë sekuestruar veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje. 36 vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale. /abcnews.al