Një incident i rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e vogël Porepunkah, rreth 300 kilometra në verilindje të Melbërnit, ku dy efektivë të policisë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Efektivt e vrarë ishin pjesë e një grupi që kishte shkuar në një pronë private për të ekzekutuar një urdhër arresti ndaj një të akuzuari për abuzim seksual.

Ngjarja është konfirmuar nga Policia e Viktorias, duke theksuar se nuk mund të japë më shumë detaje derisa situata të jetë tërësisht nën kontroll. Megjithatë, raportimet e mediave australiane, të mbështetura nga burime policore, tregojnë për një skenë të dhunshme ku oficerët janë zënë në befasi dhe janë qëlluar me armë zjarri. Madje, sipas këtyre burimeve, armët e viktimave janë marrë nga sulmuesi.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore, përfshirë një automjet të blinduar dhe një helikopter, ndërsa e gjithë zona është rrethuar. Për shkak të rrezikut të mundshëm, të gjitha objektet publike në zonën e Alpine Shire janë mbyllur dhe shkolla fillore e Porepunkah është në izolim që prej orëve të para të mëngjesit.

Australia është një nga vendet me ligjet më të rrepta për armëmbajtjen në botë, të miratuara pas masakrës së Port Arthur në vitin 1996, ku humbën jetën 35 persona. Prej atëherë, ngjarje me armë zjarri, veçanërisht ndaj efektivëve të policisë, janë të rralla dhe shpesh shoqërohen me reagime të forta nga opinioni publik dhe autoritetet.