Donald Trump pohoi se do të flasë të martën me presidentin rus Vladimir Putin për Ukrainën, dhe diskutimi do të përqëndrohet tek territoret e termocentralet.

“Jemi që tani në bisedime për këtë çështje, për ndarjen e aseteve të caktuara”, tha ai për gazetarët fluturonte nga Florida në Uashington me avionin presidencial, Air Force One.

“Ne do të shohim nëse kemi diçka për të shpallur ndoshta të martën. Unë do të flas me presidentin Putin të marten. Shumë punë është bërë gjatë fundjavës. Duam të shohim nëse mund t’i japim fund asaj lufte”, tha Trump.

I pyetur më konkretisht nëse konflikti do të mbyllet vërtet, ai u përgjigj:

“Ndoshta po, ndoshta jo, nuk mund ta them. Por besoj se shanset për fundin e tij, janë shumë të mira”.

Rusia kontrollon aktualisht zona të mëdha të Ukrainës së mësyrë prej saj përpara tre vjetësh.

“Ne do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentralet”, nënvizoi Trump, duke e përshkruar atë si “ndarje të aseteve të caktuara”.

Putin e lidh miratimin për armëpushimin me disa kushte. Ne jemi dakord me propozimin të për ndalimin e veprimeve luftarake”, tha ai disa ditë më parë, teksa e falënderoi presidentin Trump për iniciativën.

“Por ne jemi të mendimit, që ky ndalim duhet të jetë i tillë, që të çojë në një paqe afatgjatë dhe të mënjanojë shkaqet e konfliktit”, shtoi shefi i Kremlinit.

Ekspertët nuk shohin shumë gjasa për kthimin e territoreve të aneksuara ukrainase. Përkundrazi. Putin i ofroi Trumpit në fund të shkurtit një marrëveshje më vete për eksplorimin e lëndëve të para në zonat e pushtuara, theksojnë ata duke kujtuar deklaratën e Putinit se: Rusia është e gatshme “të bashkëpunojë me partnerë të huaj, përfshirë edhe amerikanët në rajonet e reja”.