Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv për ndalimin e hyrjes brenda territorit të SHBA-ve për shtetasit e 12 vendeve të botës,
Vendet e ndaluara përfshijnë Afganistanin, Çadin, Kongon, Guinenë Ekuatoriale, Eritrenë, Haitin, Iranin, Libinë, Myanmarin, Somalinë, Sudanin dhe Jemenin.
Përveç ndalimeve për qytetarët e këtyre vendeve, urdhëri ekzekutiv përfshin dhe kufizime të shtuara për shtetasit e Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela.
“Duhet të veproj për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të tyre”, tha Trump në urdhrin e tij.
Urdhri hyn në fuqi të hënën, më 9 qershor 2025, në orën 12:01 të mëngjesit sipas orës lokale në Uashington, DC (04:01 GMT). Vizat e lëshuara para kësaj date nuk do të revokohen, thuhet në urdhër.
Në një mesazh video të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se sulmi i fundit në një tubim pro-Izrael në Boulder të Kolorados kishte “nënvizuar rreziqet ekstreme që i paraqiten vendit tonë nga hyrja e shtetasve të huaj që nuk janë verifikuar siç duhet”.
Presidenti pretendoi se kishte “miliona e miliona prej këtyre emigrantëve të paligjshëm që nuk duhet të ishin në vendin tonë”.
“Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi në Evropë t’i ndodhë Amerikës”, tha ai, duke shtuar, “shumë thjesht, nuk mund të kemi migrim të hapur nga asnjë vend ku nuk mund t’i verifikojmë dhe t’i kontrollojmë në mënyrë të sigurt dhe të besueshme ata që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Nuk do të lejojmë që njerëzit që duan të na bëjnë keq të hyjnë në vendin tonë”, thuhet në video mesazhin e Trump.