Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ripropozoi idenë që SHBA-të të marrin kontrollin e Gazës, duke ofruar idenë e një “zone lirie”.
“Nëse është e nevojshme, mendoj se do të isha krenar nëse Shtetet e Bashkuara ta marrin dhe ta bëjnë një zonë lirie. Le të ndodhin disa gjëra të mira, t’i vendosin njerëzit në shtëpi ku mund të jenë të sigurt”, tha Trump nga Doha, Katar.
Përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Hamas deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme. Më parë ai ka hedhur idenë që SHBA-të të marrin kontrollin dhe të zhvillojnë Gazën.
“Po punojmë shumë fort në Gaza. Gaza ka qenë një territor vdekjeje dhe shkatërrimi për shumë vite. Dhe e dini, unë kam koncepte për Gazën që mendoj se janë shumë të mira: ta bëjmë atë një zonë lirie, të lejojmë Shtetet e Bashkuara të përfshihen dhe ta bëjmë atë thjesht një zonë të lirë he të sigurt”, tha Trump.
Ai vazhdoi duke thënë “Njerëzit jetojnë nën rrënojat e ndërtesave që u shembën, gjë që nuk është e pranueshme, është e tmerrshme. Dhe dua ta shoh atë (Gazën) të jetë një zonë lirie.”
Pothuajse 70 persona u vranë gjatë natës në Gaza, ndërsa vazhdon një javë sulmesh intensive izraelite.
Sulmet izraelite vranë 57 persona në Khan Younis, sipas një liste nga morgu i Spitalit Nasser. Videot e siguruara nga gazetarët vendas tregojnë fëmijë të vegjël midis të vrarëve dhe trupa që mbushin morgun në spital, dhe stafi që deklaron se ishte “i mbushur me trupa”.