Presidenti amerikan, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Izraelit. Përmes rrjetit të tij social “Truth”, kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkon që të mos kryhen më sulme në Iran, por palët të kthehen në respektimin e armëpushimit. “Izrael, mos i lësho ato bomba. Nëse e bëni këtë, do të ishte një shkelje e madhe e armëpushimit. Ktheni pilotët tuaj në shtëpi, menjëherë!”, shkruan Trump, raporton A2 CNN.

Presidenti amerikan kritikoi të dyja palët për shkëmbimin e sulmeve pas hyrjes në fuqi të asaj që e shpalli si “paqe të përjetshme”. Madje reagimi i tij ishte aq nervoz dhe me një gjuhë të papërshtatshme, sa që heshti të gjithë gazetarët. “Kemi dy vende që kanë luftuar kaq shumë fort dhe për kaq kohë sa nuk e dinë më se çfarë dreqin po bëjnë. A e kuptoni këtë?”.

Por zemërimi i Donald Trump ishte frymëzuar më shumë nga veprimet e Izraelit. “Ishte vetëm një raketë që u lëshua pas afatit dhe tani Izraeli po kërkon hakmarrje. Këta njerëz duhet të qetësohen”, u tha reporterëve ai përpara se të nisej për në Holandë për samitin e NATO-s.

Presidenti amerikan shtoi se ka parë të hënën shumë gjëra që e kanë mërzitur. “Nuk më pëlqen faktin që Izraeli ka sulmuar menjëherë pasi arritëm marrëveshjen e armëpushimit”, nënvizoi kreu i Shtëpisë së Bardhë duke shtuar se kjo nuk kishte pse të ndodhte. Trump pohoi se ende nuk e di nëse Irani dhe Izraelit e kanë bërë qëllimisht shkeljen e armëpushimit. “Do të shoh mundësinë nëse mund ta ndaloj përshkallëzimin”, u shpreh lideri amerikan. Mes tjerash shprehu bindjen se Irani nuk mund të rindërtojë kurrë më kapacitetet bërthamore pas sulmit të fundjavës. (A2 Televizion)