
Zv.presidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë pritet të mbërrijnë të premten në Groenlandë, ku banorët vendas kanë shprehur shqetësim të thellë për vizitën, pasi Presidenti Trump ishte zotuar ta blinte ishullin “me një mënyrë ose një tjetër.”
Shtëpia e Bardhë raporton se Vance do të shoqërohet në udhëtimin njëditor nga Usha Vance-bashkëshortja e tij; Chris Wright-sekretari i energjisë; Michael Waltz-këshilltari i sigurisë kombëtare; dhe senatori Mike Lee-republikan nga Utah.
Itinerari i udhëtimit ndryshoi ditët e fundit pasi njoftimi i mëparshëm u prit me reagime të ashpra në Groenlandë. Fillimisht, znj. Vance, pritej të vizitonte ishullin së bashku me z. Waltz. Ajo kishte planifikuar gjithashtu të merrte pjesë në një garë qensh me slitë në jug të Groenlandës.
Një agjenci udhëtimi në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, deklaroi se do të refuzonte një kërkesë nga SHBA që znj. Vance të vizitonte zyrën e saj. Organizatorët e garës së qenve me slitë bënë të qartë se nuk e kishin ftuar atë. Ndërkohë, kryeministri i Mute B. Egede, deklaroi me tone të indinjuara se nuk do të kishte asnjë takim mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Groenlandës.
Në një video të postuar në rrjetet sociale të martën pas këtyre reagimeve, Vance tha se kishte vendosur ta shoqëronte gruan e tij. “Nuk doja që ajo të kënaqej e vetme”, tha ai, duke buzëqeshur.
Delegacioni i zgjeruar tani planifikon të vizitojë vetëm Bazën Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule, një instalacion shtatëdekadësh i operuar nga forcat amerikane në veriperëndim të Groenlandës, brenda Rrethit Arktik.
Presidenti Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë një domosdoshmëri sigurie për të blerë ishullin më të madh në botë, i cili është nën kontrollin e Danimarkës që prej vitit 1721. Me një sipërfaqe më të madhe se Meksika, Groenlanda është e mbuluar me akullnaja, male të ngrira, minerale të rralla dhe është shtëpia e rreth 56,000 banorëve.
