Policia e Shtetit ka nisur kontrollet për kapjen e shtetasit turk, Faruk Fatih Özer, i cili konsiderohet si hajduti i vlerës më të madhe në Turqi, plot 2 miliardë euro.

Shtetasi turk F. O. është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka detyrimin për të ushtruar kontrolle për gjetjen e tij, bazuar në informacione apo dyshime se ky shtetas mund të fshihet në Shqipëri.

Pak kohë më parë, autoritetet turke i kërkuan Shqipërisë të dorëzojë Fatih Ozer. Dy persona janë arrestuar gjatë ditëve të fundit ne Shqiperi, pasi ka dyshime se pritën në aeroportin e Rinasit dhe më pas strehuan një nga personat më të kërkuar aktualisht në botë, turkun Faruk Fatih Ozer.

I riu konsiderohej nga mediat turke si një prej mashtruesëve me të mëdhenj, pasi kishte manipuluar rreth 400 mijë persona duke i marrë 2 miliardë dollarë.

Özer u largua nga aeroporti i Stambollit, në një drejtim të panjohur por më pas u zbulua se kishte mbërritur në Shqipëri, 8 ditë më parë. Më pas, data ekzakte nuk dihet ende, ai është nisur për në Kosovë, ku edhe dyshohet se është prangosur nga Policia vendase, duke iu referuar mediave turke.

(E.H/Faxweb.al)