Turqia po përballet me një total prej 77 zjarresh që kanë shpërthyer në 24 orët e fundit. 53 prej zjarreve kanë rënë në pyje ndërsa prej disa orësh forcat zjarrfikëse luftojnë në fronte të shumta. Situata në Izmir është e rëndë me disa shtëpi të shkatërruara plotësisht.

Frontet kryesore të zjarrit ndodhen në Izmir, Denizli, Ajdin dhe Manisa. Zjarri pyjor që shpërtheu në kufirin e distrikteve Menderes dhe Seferihisar u përhap shpejt në zonat e banuara, duke i detyruar autoritetet të evakuojnë të paktën 10 vendbanime.

Helikopterë, avionë zjarrfikës dhe automjete të tjera, si dhe më shumë se 1,000 njerëz, morën pjesë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve. Zjarri është aq i madh sa është bërë i dukshëm edhe nga ishujt grekë.

Si pjesë e hetimit të nisur nga Zyra e Prokurorit Publik të Izmirit në lidhje me zjarrin në rajonin Buca, një i dyshuar u arrestua për zjarrvënie me benzinë, ndërsa siç njoftoi Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç, gjithsej 17 të dyshuar janë arrestuar si pjesë e hetimeve për zjarret në pyje në provinca të ndryshme midis 26-28 qershorit. 

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të evakuojnë shtëpitë e tyre në disa vendbanime dhe po shpëtojnë ata që janë bllokuar nga flakët. Sipas mediave turke, të paktën 10 lagje janë evakuuar.