Kanadaja po përballet me zjarre të fuqishme prej disa ditësh. Tre provinca kanadeze janë përfshirë nga flakët, dhe janë aktive më shumë se 212 vatra zjarri, gjysma e të cilave jashtë kontrollit.

Por tymi i shkaktuar nga zjarret e mëdha në Kanada, ka mbuluar 1/3 e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke krijuar probleme me cilësinë e ajrit.

Ndikimi është minimal, përveç se në disa zona të shtetit të Nju Jorkut, New England dhe Massachusetts. Ndërsa në zonat e tjera, tymi është në atmosferën e sipërme dhe nuk përbën shumë problem për cilësinë e ajrit, sipas meteorologëve nga Qendra e Shërbimit të Motit në SHBA.

“Por ka probleme në Nju Jork dhe Connecticut ku tymi është më i dendur dhe është në atmosferën e poshtme”, tha meteorologu Mark Chenard.

Më të prekurit nga ajri i rënduar do të jenë fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Megjithëse, sipas ekspertëve, të gjithë do të preken në një farë mënyre.

Ditën e sotme, ajri më i rënduar ishte në Massachusetts, për shkak të tymit që vinte nga Kanadaja.