Lulzim Berisha ka dalë sot para togave të zeza të GJKKO-së rreth një ditë pasi u ekstradua nga Spanja ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg”.

Në seancës ndaj tij, ish-kreu i bandës së Durrësit ka kundërshtuar deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili e akuzoi si vrasës të Klodian Saliut.


Lulzim Berisha deklaroi se nuk e ka takuar asnjëherë Luftar Reçin dhe se nuk e njeh.

Ai drejtua togave të zeza duke thënë që “nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni”.

“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër,  njëlloj do të bjerë edhe kjo”, tha Lulzim Berisha.

54-vjeçari Lulzim Berisha u ekstradua mbrëmjen e 18 marsit nga Spanja drejt vendit tonë. Ai akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut në 2005.


Prova kryesore kundër Lulzim Berishës është dëshmia e Luftar Reçit, një i dënuar që ka pranuar të rrëfejë nga burgu pjesëmarrjen në vrasjen e Klodian Saliut.

Luftar Reçi tregon se Lulzim berisha i kishte propozuar një marrëveshje 20 vite më parë që të bënin një shkëmbim të njerëzve për t’u vrarë. Reçi duhej të merrte pjesë në vrasjen e Klodian Saliut, kurse Lul Berisha merrte përsipër të vriste hasmin e tij në Burrel.