
Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë, duke vendosur masën “detyrim paraqitjeje” për bashkëshorten e deputetes së PD Elda Hoti, Ladi Ndoja dhe Amarildo Jushi, të arrestuar mbrëmjen e së shtunës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi Renuar Kola, 46 vjeç, drejtor i arsimit (drejtues automjeti), dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e shtetasve Ladi Ndoja dhe Amarildo Jushi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
