
Gjykata e Lezhës ka dhënë masën “detyrim paraqitje” për bashkëshortin e deputetes të PD-së Elda Hotit, Landi Ndoja. Po ashtu i njëjti vendim është marrë edhe për shokun e tij Amarildo Jushi.
Arrestimi i tyre u krye mbrëmjen e së shtunës, vetëm pak orë para zgjedhjeve të 11 majit, teksa u raportua se i kanë bllokuar rrugën një tjetër automjeti duke pretenduar se po kryhej krim zgjedhor.
Këta persona akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, pasi i kanë bllokuar rrugën automjetit me drejtues Drejtorit e Arsimit, Renuar Kola dhe pasagjer shtetasin A. D. në lagjen “Donaj” me pretendimin se po kryenin veprimtarinë e blerjes së votës.
Në kontrollet e ushtruara në automjetet e Landi Ndoja dhe Amarildo Jushi shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e Renuar Kolës nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Sakaq Ladi Ndoja pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
