Cedomir Stojkoviç, avokati i Nikola Sanduloviç, politikanit serb që u torturua e më pas u la në paraburgim pasi postoi një foto duke vendosur lule tek varrezat e familjes së heroit Adem Jashari, paralajmëron se të merr masa.
Ai thotë se nëse klienti i tij nuk lirohet deri sot pasdite, ai do t’i çojë gjërat në një nivel tjetër.
“Nikolla është ende në paraburgim vetëm se ka vendosur lule mbi varrin e një vajze shqiptare. Vendim ky vandal i gjykatës në Serbi. Nëse ai nuk lirohet deri sot pasdite, ne do t’i çojmë gjërat në një nivel tjetër”, ka paralajmëruar avokati.
Dyshohet se gjithçka ka nisur më 2 janar, kur Nikola Sanduloviç ka postuar në rrjetin social X një video nga vizita e tij në kompleksin “Adem Jashari” në Kosovë, ku ka vendosur një kurorë me lule te monumenti, ku në vitin 1998 u vranë 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, njërit prej themeluesve të UÇK-së.
Kryetari i Partisë Republikane u arrestua një ditë më vonë dhe përfundoi në paraburgim për shkak se, siç njoftoi Prokuroria e Lartë në Nish, “dyshohet se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”. Avokati i Sanduloviçit, Çedomir Stojkoviç, deklaroi se “Sanduloviç është marrë në pyetje për katër orë në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), gjatë së cilës është rrahur brutalisht”.
Dyshohet se disa herë ka humbur ndjenjat dhe në fund i ka mbetur pa ndjenja gjysma e djathtë e trupit, ndaj është dashur të transferohet në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd. Ai u ndalua në Nish në kundërshtim me rregullat, shpjegoi avokati i tij, sepse Burgu Qendror në Beograd tha se gjendja e tij shëndetësore është e tillë që ai nuk mund të transportohet në Beograd. “Arsyeja e caktimit të paraburgimit është rreziku i përsëritjes së veprës penale, i cili është i pakuptimtë. Ai vendosi lule mbi varrin e një fëmije shtatë vjeçar. E çfarë nuk është këtu sipas ligjit?”, tha avokati Stojkoviç.