Ersi Çekani dhe Ervin Doçi janë vënë në pranga dhe janë lënë burg nga Gjykata e Elbasanit pasi akuzohen se konfliktoheshin me armë me banorë të zonës së fshatit Gostimë të Librazhdit.

Gazetari Elton Qyno shkruan se Ersi Çekani është një personazh i përfshirë në ngjarjen e nëntorit 2020 në Elbasan, ku mbeti i plagosur, Ervis Çaushllari i njohur si “Vis Korçari”. Çekani që rezulton të jetë dhe vëllai i Ardi Çekanit, personit që efektivët e RENEA-s, e arrestuan në muajin Mars 2021 në hyrje të shtëpisë së Ardjan Çapjas në Elbasan, i cili shërbente si roje në familjen Çapja është kapur brenda një lokali.

Ndërsa shoku i tij, Ervin Doçi, nuk u gjend në lokal pasi ishte futur në tualetin e jashtëm të kafenesë. Kur policia ka shkuar në lokal, Çekani u ka thënë se Ervin Doçi kishte dalë nga lokali, dhe se nuk kishte dijeni se ku kishte shkuar.

Por, policia ka ushtruar kontroll në lokal dhe nuk ka gjendur asnjë send të paligjshëm. Kontrolli policor ka vijuar në ambjentet e jashtme, pasi Ervin Doçi, dyshohej se fshihej aty pranë. Më pas efektivët kanë tentuar të hapin derën e tualetit, por ajo ishte mbyllur nga brenda. Pasi kanë trokitur disa herë duke bërë thirrje se “…jemi polica…”, pas rreth 5 minutash është hapur dera dhe nga banjo doli, Ervin Doci.

Doçi është vënë re se ishte dëmtuar në kokë, por kur është pyetur nga policia për shenjat që kishte, ka thënë se është rrëzuar nga pema. Policia e ka kontrolluar fizikisht por nuk i ka gjetur sende të paligjshme. Më pas është ushtruar kontroll në afërsi të banjos jashtë, ku pas dritares u gjend një armë zjarri pistoletë, e cila ishte hedhur në tokë dhe në një drejtim me dritaren. Arma është sekuestruar ndërsa dy djemtë janë pas hekurave.