Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Klement Kursën, 39 vjeç, me origjinë nga Dibra dhe me banim të përkohshëm në Gjirokastër. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare, e cila është vajza e bashkëjetueses së tij.
Zbulimi i kësaj ngjarjeje është bërë nga Policia e Gjirokastrës përmes metodave hulumtuese, ndërkohë që deri më tani nuk ka një denoncim zyrtar nga ana e të miturës apo e nënës së saj. Policia po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
Kujtojmë se Klement Kursa ishte arrestuar pesë ditë më parë në një aksion blic të Policisë së Dibrës dhe asaj të Gjirokastrës, pasi ai dhe vëllai i tij binjak dyshohen si autorë të një vrasjeje të ndodhur në Dibër në vitin 2018.
Gjatë aksionit policor të zhvilluar më 18 janar, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e binjakëve dibranë në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), 1 armë e ftohtë (thikë), 3 krehëra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë.
Gjykata e Gjirokastrës e kishte lënë të lirë Klement Kursën në seancën e vlerësimit të masës së arrestit për këtë çështje, ndërsa sot ai është arrestuar sërish nën dyshimin për abuzim seksual ndaj vajzës së mitur.
Sipas policisë, Klement Kursa dhe vëllai i tij binjak dyshohet se janë larguar nga Dibra për shkak të një konflikti gjakmarrjeje dhe janë strehuar në Gjirokastër.






