Dritan Gjika, shtetas shqiptar i lindur në vitin 1976 dhe banues në Ekuador prej më shumë se 15 vitesh, është arrestuar së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndodhet në pritje të ekstradimit drejt Ekuadorit, ku përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Gjika ishte në kërkim me dy njoftime të kuqe të Interpolit, si drejtues i një rrjeti të gjerë kriminal që trafikonte kokainë nga Kolumbia, përmes Ekuadorit, drejt Amerikës Qendrore dhe Europës. Ai përdorte biznese legale për të pastruar fitimet dhe kishte bashkëpunëtorë në portet ekuadoriane që ndihmonin në kontrabandë.

Gjika ishte ortak në disa biznese me Rubén Cherres, një figurë e njohur ekuadoriane e vrarë në vitin 2023, i lidhur me trafik droge dhe mik i ngushtë i Danilo Carrera, kunatit të ish-presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso. Të dy kishin regjistruar 12 kompani në një ditë të vetme, më 17 qershor 2021, në fusha që varionin nga prodhimi i mishit deri te turizmi dhe eventet.

Më 7 janar 2023, në prag të publikimit të audio-materialeve që lidhnin Cherres me rrjete kriminale, Gjika u largua drejt Turqisë dhe humbi gjurmët. Policia ekuadoriane nuk e ndoqi çështjen me intensitet, duke i dhënë kohë të zhdukej, sipas Javanews.

Më 6 shkurt 2024, autoritetet ekuadoriane dhe spanjolle ndërmorën Operacionin “Gran Fénix XIII”, duke çmontuar një rrjet ndërkombëtar droge dhe pastrimi parash. Gjika u identifikua si kokë e organizatës, por nuk u arrestua në atë moment.

Pas muajsh kërkimesh, Dritan Gjika u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim dhe pritet të ekstradohet drejt Ekuadorit. Procedura mund të zgjasë disa javë apo muaj, sipas autoriteteve