Kleanth Laçi, mësuesi nga Tepelena i cili dy ditë më parë u dhunua nga disa persona ka rënë në prangat e policisë.
Sipas njoftimit të uniformave blu mësohet se arrestimi i Laçit ka ardhur pas dëshmisë së njërit prej autorëve, Alvi Gumenit, i cili teksa u vetdorëzua në Komisariat deklaroi se mësuesi i kishte ngacmuar seksualisht motrën 13-vjeçare, dhe për këtë arsye e kishte dhunuar.
Ndaj Kleanth Laçit rëndojnë akuzat “Ngacmimi seksual” dhe “Kallëzimi i rremë”, ndërkohë policia po punon për kapjen e dy autorëve të tjerë të cilët e shoqëruan Gumenin gjatë dhunimit të mësuesit.
Ndalimi i tij u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura.
Ndërkohë, ditën e djeshme në një dëshmi të dhënë mësuesi Kleanth Laçi i shokuar për deklaratën e Alvi Gumenit, hodhi poshtë akuzat e rënda të prentenduara nga autori. Ai tha se prej 20 vitesh ushtronte profesionin e mësuesit dhe nuk ka patur asnjë veprim apo sjellje të gabuar me asnjë person në qytet, dhe aq më pak me një nxënëse.
Njoftimi i plotë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për ngjarjen e ndodhur në datën 16.01.2023, në vendin e quajtur “Zona industriale”, Tepelenë, ku disa shtetas kanë goditur me mjete të forta shtetasin K. L., 59 vjeç, banues në Tepelenë (mësues), kanë ndaluar njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin:
- G., 29 vjeç, banues në Tepelenë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Vetëgjyqësia”.
Vijon puna intensive për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tij.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë u bë ndalimi i shtetasit të dëmtuar K. L., 59 vjeç, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kallëzimi i rremë”.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.