
Dy shtetas shqiptarë janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Gjermania dhe Italia, si pjesë e procedurave ligjore në kuadër të hetimeve të ngritura nga autoritetet shqiptare.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, një prej të ekstraduarve është Ilia Ndoka, 50 vjeç, i cili u arrestua në Itali në maj të vitit 2024 dhe më pas u ekstradua drejt Tiranës.
Ndoka ishte subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK, në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”.
Ai akuzohet se ka ndihmuar me para dhe informacion kushëririn e tij, Arben Ndoka, në përpjekjet për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e vrasjes së vëllait të këtij të fundit, Aleksandër Ndoka.
Sipas hetimeve, Ilia Ndoka kishte hyrë në marrëveshje edhe me grupe kriminale të njohura si “Avdylajt” në Shijak, grupi i Ervis Martinajt, grupi i Shullazit, si dhe me persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
