Trupi i Arben Lleshit i vrarë brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, është tërhequr nga morgu 2 vite pas krimit. Burime të besueshme nga organi hetues konfirmuan se trupi është nxjerr me autorizimin përkatës dhe është varrosur nga autoritetet vendore të Matit, për shkak se familjarët nuk e kryen për rreth dy vite një veprim të tillë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore i tha Syri Tv se trupi është tërhequr nga kjo e fundit më datë 20 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ngjarja ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e mediave.
Vrasja që nuk ka ende një motiv të përcaktuar në mënyrë përfundimtare u krye nga Sokol Mjacaj, një tjetër i dënuar e që mbahet akualisht në regjimin e posaçëm ‘41 biss’. Ndërkohë, lidhur me pretendimet e familjes Prokuroria e Elbasanit ka arritur të provojë në mënyrë shkencore se personi i vrarë më 15 dhjetor të vitit 2023 është Arben Lleshi.
Familjarët nuk u paraqiten për rreth dy vite për të tërhequr trupin, dhe ngritën pretendimin se kishin dyshime të mos bëhej fjalë për të afërmin e tyre. Verifikimi është bërë përmes gjurmëve të gishtave, dhe pas kësaj Prokuroria e Elbasanit i ka nisur rezultatet IML-së.
Më herët mos përgjigja e familjarëve ishte parë si hezitim për shkak të frikës nga hakmarrja, duke qenë se i afërmi i tyre ishte dënuar përjetë për vrasje. Ngjarja në fjalë daton në vitin 2012 kur vritet dhe më pas digjet trupi i Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe, ngjarje për të cilën faji iu ngarkua Arben Lleshit dhe të vëllait Afrimit.
Pas kësaj, familja Lleshi humbi katër pjesëtarë mes të cilëve të vrarë e të zhdukur. Ekzekutimi i Arben Lleshit brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj ku mbeti i plagosur dyshohet aksidentalisht edhe Indrit Shaqja, u dyshua si vijim i sagës së hakmarrjes.
Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit, teksa autori i krimit ka kyçur gojën duke vështirësuar zbulimin e shkakut dhe personave të interesuar për eliminimin e të dënuarit. Vrasja e Lleshit ndodhi vetëm disa orë pasi Ministria e Drejtësisë njoftoi vendimin për ta futur Sokol Mjacajn në regjimin e ashpër 41 biss me motivacionin se komunikonte me jashtë dhe vazhdonte aktivitetin kriminal nga qelia.
Kjo ngjarje nxori në pah jo vetëm mungesën e sigurisë por edhe trajtimin e të dënuarve në mënyrë preferenciale. Mjacaj ishte dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe.
