Policia zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 16.
Vrau me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës, pas disa orësh punë hetimore dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia zbardhi ngjarjen, identifikoi autorin e vrasjes dhe e shpalli në kërkim.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjeteve të krimit dhe veshjeve që ka patur autori kur ka kryer krimin.
Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit (fqinj i viktimës).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.
Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.
Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Fation Janina, 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.
Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit.
Materialet u referuan në Prokurori, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Top Channel