Një 72-vjeçar është arrestuar pasi u largua me shpejtësi duke refuzuar të kontrollohej në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Kontrolli policor do të bëhej në territorin e Malit të Zi, por ai nuk ka ndaluar dhe ka tentuar të largohet, por u kap nga Policia Kufitare shqiptare, në territorin e pikës kufitare të Hanit të Hotit.
Gjatë kësaj kohe ai hodhi nga automjeti 1 armë zjarri pistoletë, e më pas në mjet iu gjetën të fshehura 17,640 euro, të ndara në disa pjesë.
Pas verifikimeve, sipas policisë, rezultoi se 72-vjeçari me iniciale F. S. kishte precedent të mëparshëm penal, për armëmbajtje pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i përbashkët policor i koduar “COOPERATION”.
U largua me shpejtësi duke refuzuar kontrollin policor në territorin e Malit të Zi, bllokohet menjëherë nga Policia Kufitare shqiptare, në territorin e PKK Hani i Hotit.
72-vjeçari hodhi nga automjeti, 1 armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
72-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal, për armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit të përbashkët me homologët e Malit të Zi, në automjetin e 72-vjeçarit, u gjetën të fshehura edhe një shumë prej 17 640 eurosh, e ndarë në disa pjesë.
Në PKK Hani i Hotit, në territorin e Malit të Zi, në dalje për në Shqipëri, shtetasi F. S., i cili drejtonte një automjet tip “Benz”, nuk ka ndaluar për të kryer proceduat për hyrjen në Shqipëri dhe është larguar me shpejtësi duke u futur në territorin shqiptar, në PKK Hani i Hotit.
Punonjësit e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë sinjalizuar menjëherë punonjësit e Policisë Kufitare të Shqipërisë, të cilët kanë bllokuar menjëherë daljen nga pika e kalimit.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. S., ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë Kufitare shqiptare.
Gjatë kontrollit të përbashkët me homologët e Malit të Zi, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën këtij shtetasi, të fshehura në automjet, edhe një shumë prej 17 640 eurosh, të ndarë në disa pjesë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit F. S., 72 vjeç, banues në Shkodër, me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.