Adriatik Lapaj ka reaguar pas kërkesës që daja i “aleatit” të tij në zgjedhje, Endri Shabanit paraqiti në KQZ ku dhe kërkon mandatin e deputetit.

Përmes një postimi në “Facebook”, Lapaj thekson se ka qenë vetë Endri Shabani ai i cili para një populli të tërë doli garant për familjarët e vet të cilët për shkak të formulës i futën në listat e mbyllura.

Duke treguar qartë “ftohjen” mes tyre, drejtuesi i “Lëvizja Shqipëria Bëhet” lë të kuptohet se si Edi Rama, Sali Berisha po ashtu dhe vetë “aleati” i tij në zgjedhjet e 11 Majit kanë “luftuar” kundër tij.

“Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI”, shkruan Lapaj.

Daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, iu drejtua sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër ku dhe kërkoi që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakordësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.

Por, mesa duket një prej 12 kandidatëve fiktivë në qarkun e Tiranës të “Nismës Shqipëria Bëhet” ka “ndërruar mendje” dhe kërkon që të jetë deputet në legjislacionin e ri parlamentar.

Ky është pikërisht daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili pretendon se gjatë kandidimit nuk ishte i qartë nëse kishte firmosur edhe mospranimin e mandatit të deputetit, duke rrezikuar kështu “karrigen” e Adriatik Lapajt në Kuvendin e ri 2025-2029.

Ai i ka kërkuar Celibashit se është i bindur që nuk do të djegë mandatin e tij dhe të injorojë çdo deklaratë apo pretendim të Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet që janë bërë në emër të tij.