Babai i 35-vjeçarit që u arrestua sot në Divjakë, për abuzim seksual me një të mitur, ka folur për Top Channel.

Agim Arapi pohoi se djali i tij ka qenë i martuar me 14-vjeçaren që prej marsit të vitit të kaluar. Sipas tij vajza është martuar me dëshirën e saj.

“E kemi në shtëpi nga 15 marsi i 2023-shit. Dasmën e bëra unë në gusht, mu krijua mundësia thash t’i gëzoja. Siç bëjnë të gjithë prindërit.  Prindërit e asaj më thanë s’ke punë me vajzën time ta bësh nuse. Presioni i parë ky. Unë e bëj gëzimin në shtëpinë time.

Në atë kohë i bën presion nuses, ajo sëmuret dhe shkon në spital në Divjakë, 4 ditë rresht. Ata në polici. Vjen policia të marrë çunin këtu, çuni në spital e marr në telefon, e marrin pa ditur gjë. Tre herë e kanë thërritur në polici, edhe ne. Nusja ka qëndruar me dëshirë jo me forcë. Ajo tha do vij me ju, kam bërë deklaratë në polici nuk ndahem dhe ramë dakord”, thotë babai i 35-vjeçarit.

Arapi tregon se e mitura nuk e ka vazhduar shkollën, për shkak se i vinte turp nga të tjerët. Ai thotë gjithashtu se nuk e dinte që vajza ishte 14 vjeç, sepse i kishte gënjyer duke thënë që është 17 vjeç.

“Ajo ishte në klasë të shtatë, e lash shkollën. I thash më jep dokumente të vazhdoj shkollën këtu, mirë tha ai, ajo s’pranoi nga turpi dhe mentaliteti. Denoncimin në polici e bënë atë. I premë marrëdhëniet, me ne nuk flisnin. I thosha çoje te prindërit, ajo tha jam 17 vjeçe, se trupin e ka për 20 vjeç. E kam marrë vesh në gusht që ishte 14 vjeç”, tregon ai.

Top Channel