Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka ngritur problematikën e mbylljes së 4 shkollave në rrethin e Elbasanit.

Gjatë një postimi në rrjetin social “Facebook”, Açka ironizoi duke thënë se një pjesë e shkollave në Shmil, Preçaj i poshtëm, Kryezjarrth dhe Gracen janë kthyer në muze të “ronitur” .

Gjithashtu gjatë statusit të saj, Flutura nënvizon se mbyllja e shkollave po detyron fëmijët dhe familjet e tyre të largohen nga Shqipëria, ndërsa kishte edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Reagimi i plotë i Flutura Açkës:
Ku po shtegtojnë fëmijët e shkollave shqiptare?
Në Elbasan mbyllen shkollat e katër fshatrave, në Universitetin e Elbasanit mbyllen shumë degë studimi
E ndoqa me trishtim njoftimin e mbylljes së katër shkollave të fshatrave të Elbasanit: Shmil, Preçaj i poshtëm, Kryezjarrth dhe Gracen. Një pjesë e tyre tani janë foto të muzeve të ronitur a dokumentarëve të dikurshëm.
Të paktët fëmijë, jo më shumë se dhjetë prej tyre, të fshatrave Kryezjarrth dhe Gracen, do t’iu duhet të bëjnë më shumë kilometra në fshatrat e afërta, ku ka ende shkolla në këmbë. Shkollat e tyre, nëse do të vazhdohet ky erozion i fshatrave shqiptare, do të kthehen së shpejti në stalla.

E pra, na ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i shkollës dhe regjistrimi i fëmijëve në shkolla thuajse ka mbaruar.
Një fat të përafërt ka edhe Universiteti i Elbasanit, vitet e fundit iu mbyllën 13 degë dhe këtë vit në Degën e Gjuhë e Letërsi Shqipe janë regjistruar vetëm dy studentë, me shpresë se do të vijnë edhe të tjerë.
Kësisoj, tre vite më pas, Elbasani i Normales, i cili edukoi shqiptarinë për 100 vite paprerë e në të gjitha viset, do t’i dhurojë Shqipërisë vetëm dy të diplomuar në gjuhë e letërsi, ndoshta ndonjë adhurues i gjuhës a ndonjë shkrimtar i talentuar.

Pa gjuhëtarë, pa historianë, pa shkrimtarë, pa mësimdhënës, pa edukatorë, por shkojmë në Europë.
Me tepri kemi vetëm infermierë e mjekë, të destinuar edhe ata për në Germani!
Të paktën, të ishte ruajtur historia, të ishte ruajtur Normalja. Të paktën, të jetonim me të shkuarën.
Kjo bjerrje e krenarisë së Elbasanit, do të kishte qemë një nga temat e bisedës në tentativë që kisha menduar kur i bëra ftesën publike gjatë fushatës, koleges sime, zonjës Evis Kushi, sepse Elbasani na dhemb të dyjave.

Çfarë do të bëjmë për ta shpëtuar Elbasanin nga ky mallkim, që po ia fshin historinë e ndritur të edukimit, që pa ia mbyll shkollat e sotme dhe po i shkakton erozionin e së nesërmes.
Të paktën tani një gjë e kemi të sigurt: fotot e shkollave të braktisura!