Një grup aktivistësh, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg, të cilët u ndaluan në një anije ndihmash për në Gaza, janë dërguar në një aeroport të Tel Avivit për depërtim, njofton qeveria izraelite.
Jahti me të cilin u përpoq të sillnin ndihmë humanitare në Gaza u tërhoq në qytetin portual izraelit të Ashdodit të hënën, pasi u sekuestrua nga forcat izraelite në orët e para të mëngjesit.
Duke e cilësuar atë si një “jaht për selfie”, Izraeli tha se pasagjerët kishin mbërritur në aeroportin Ben Gurion për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës, shkruan BBC.
“Ata që refuzojnë të nënshkruajnë dokumentet e deportimit dhe të largohen nga Izraeli do të sillen para një autoriteti gjyqësor“, tha ministria e jashtme izraelite në X.
Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC), grupi aktivist që operon anijen, tha se të gjithë aktivistët po “përpunoheshin dhe transferoheshin në paraburgim të autoriteteve izraelite”.
Në bord të anijes ishin qytetarë të Brazilit, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës, Suedisë dhe Turqisë – midis tyre Rima Hassan, një anëtare franceze e Parlamentit Evropian, dhe Omar Faiad, një gazetar francez i Al Jazeera-s.
Anija u nis nga Italia më 1 qershor për të rritur ndërgjegjësimin për kushtet e urisë në Gaza dhe për të shpërndarë ndihma.
Izraeli thotë se bllokada e tij ndaj Gazës është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te luftëtarët e Hamasit atje.