Indrit Shaqja, i cili mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në burgun e Peqinit ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Shaqja po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në spitalin e burgut në QSUT.
Edhe pse konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, jashtë ambienteve të spitalit të burgut në QSUT, ku mbahet Indrit Shaqja nuk ka forca shtesë policie. Ndërkohë që prej pasdites së djeshme, asnjë familjar i tij nuk është paraqitur për t’u interesuar për gjendjen e të plagosurit.
Indrit Shaqja ndodhej në të njëjtën qeli me Arben Lleshin. I dënuari Sokol Mjacaj është afruar në dritaren e derës së qelisë ku ndodheshin Shaqja dhe Lleshi, duke qëlluar me tre plumba. Lleshi ka mbetur i plagosur rëndë dhe më pas ka ndërruar jetë, ndërsa nga plumbat mbeti i plagosur edhe Indrit Shaqja.