Ditën e sotme ka dalë ekspertiza e aksidentit tragjik në autostradën Fier-Vlorë, që shoi familjen Gushi. Në bazë të ekspertizës makina tip “Audi”, që përplasi automjetin tip “Toyota” ku ndodheshin 4 anëtarët e familjes Gushi, po lëvizte me shpejtësi 160 km/orë, 50 km më shumë se sa shpejtësia e lejuar, pasi në atë aks, maksimumi i shpejtësisë është 110 km/orë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 25 qershor në aksin Fier-Vlorë, ku humbën jetën tragjikisht Eva Gushi, 9 vjeçe, Anastasia Gushi, 14 vjeçe, Eduart Gushi, 44 vjeç, dhe Silvana Gushi, 33 vjeç. I plagosur mbeti edhe drejtuesi i automjetit “Audi”, Igli Madani.
Familja Gushi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, vend në të cilin kishin emigruar dhe jetonin prej disa vitesh. Automjeti i tyre u godit nga pas nga makina e Igli Madanit. Për shkak të deformimit të madh të pësuar të mjetit tip “Toyota”, prindërit dhe dy vajzat e mitura mbetën të bllokuara, aq sa është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses dhe përdorimi i gurit freksibël për t’i nxjerrë nga aty.
Ndërkohë Igli Madani është lënë në burg pa afat nga gjykata në 27 qershor, ndërsa akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe rrezikon dënim nga 5 deri në 20 vite burg.
Pas aksidentit tragjik të afërm të familjes Gushi organizuan një protestë në qytetin e Fierit për të kërkuar vendosjen e drejtësisë për këtë çështje.
icon style