Me urdhër të SPAK, policia ka arrestuar Kreshnik Farrukun, i cili u dorëzua në polici së bashku me të vëllain.
Vendimi i gjykatës së Durrësit për lënien në arrest shtëpie ka nxitur reagimin e SPAK që për arsye sigurie ka kërkuar arrestimin e Kreshnik Bodlli (Farruku), po jo të vëllait të vet Erneo Farruku që do të vazhdojë në të njëjtën masë sigurie. Kreshnik Bodlli është kreu i klanit të Farrukëve që ka një aktivitet kriminal në disa vende të Evropës.
Vëllezërit, drejtues të klanit Farruku, u vetëdorëzuan dhe ndaluan nga Policia, po Gjykata, caktoi në të njëjtën ditë, masën e arrestit në shtëpi për ta.
Dy vëllezërit, Kreshnik Bodlli (Farruku) dhe Erneo Farruku u ndaluan me qëllim ekstradimi drejt Italisë në lidhje me aktivitetet kriminale që kanë zhvilluar në kuadër të organizatës së strukturuar ndërkombëtare që drejtojnë.
Më 7 janar, pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, e përbërë nga gjyqtari Arbër Çela, vendosi masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për të dy vëllezërit Farruku.
Ky vendim erdhi pas një kërkese për ekzekutimin e masave të sigurimit në kuadër të ekstradimit të mundshëm, pasi ndaj tyre ka pasur kërkesa nga drejtësia italiane.
Kreshnik Bodlli dhe Erneo Farruku, të cilët udhëhoqën aktivitetet e klanit kriminal Farruku, akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe përfshirje në një organizatë kriminale, veprime të cilat janë hetuar nga autoritetet italiane, duke përfshirë lidhje me grupe të fuqishme ndërkombëtare.
Gjykata e Brescia-s në Itali më 29 gusht të vitit të kaluar ka lëshuar urdhra arresti për ta, duke kërkuar ekstradimin në vendin fqinj për të përballuar akuzat që rëndojnë mbi ta.
E ndërsa Kreshnik Farruku do të qëndrojë në qeli, i vëllai do të vijojë në arrest shtëpie në qytetin e Durrësit, derisa të përfundojë procesi për ekstradimin e tyre.
Urdhri i SPAK u ekzekutua më 11 janar nga blutë e Durrësit.
Top Channel