Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin mafioz të Roan Brahimit në Athinë mbrëmjen e të enjtes (9 maj).
Mësohet se Brahimi kishte ardhur në Greqi për Pashkë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Qëllimi i tij ishte të vizitonte bashkëshorten dhe djalin e vogël 7-vjeç, të cilët jetonin në Virona të Athinës, pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Deri tani mediat në shtetin fqinj thonë se ende nuk ka asnjë informacion mbi autorët vrasjes së 32-vjeçarit, i cili u ekzekutua në sy të gruas dhe fëmijës së tij.
Oficerët e policisë që po hetojnë rastin besojnë se bëhet fjalë për një llogaritje mes grupeve rivale dhe po skanojnë kamerat në zonë për të përcaktuar rrugën ku kanë shkuar autorët.
Sipas mediave greke, hetimet po zhvillohen me ritme të shpejta pasi ekziston frika se autorët do të tentojnë të largohen jashtë vendit.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dy gëzhoja dhe ka konstatuar se viktima kishte marrë dy plumba, një në kokë dhe një pak më poshtë pjesës së kokës.
Si ndodhi vrasja?
Roan Brahimi dhe gruaja e plagosur, ishin në një fuoristradë të zezë, Mercedes Benz A Class, dhe po prisnin në rrugë pasi fëmija i tyre po luante në parkun përballë rrugës.
Papritur një motoçikletë erdhi me shpejtësi të madhe dhe shoferi ndaloi në mes të rrugës, nxori një armë dhe filloi të qëllonte.
32-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa gruaja e tij 37-vjeçare ka mbetur e plagosur lehtë. Fëmija në atë moment ishte duke luajtur në park dhe pa ngjarjen. Fëmija ka vrapuar në vendngjarje dhe bërtiste “ndihmë, babi im”.
Policia po heton për ngjarjen, por sipas vlerësimeve të saj duket se bëhet fjalë për larje hesapesh. Roan Brahimi njihet në Shqipëri si armiku i Ervis Martinajt, për të cilin që prej 9 gushtit të vitit 2022 nuk ka asnjë informacion, pasi është zhdukur pa lënë gjurmë, një nga pistat e hetimit është ajo e vrasjes.
Pista kryersore që po heton policia është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale.