Eshtrat e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, që u vra në vitin 2015 nga Kristian Cenaj, për të cilin sot Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi dënimin burg përjetë, u gjetën në vitin 2022, pas 7 vitesh!
Familjarët kishin denoncuar rastin në polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet djali i tyre ka pasur me vete një orë të shtrenjtë “Rolex” si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të rinj.
Pas shtatë vitesh që rezultonte i zhdukur dhe familja kërkonte me dëshpërim gjendjen e tij, kafka dhe mbetjet kockore të të miturit u pikasën nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra larg rrugës që lidh Fushë-Kuqen me Adriatikun, disa ditë pasi ferrat dhe shkurret ishin përfshirë nga flakët.Në një intervistë për gazetaren Anila Hoxha nga sektori i ADN-së, ekspertët treguan tre vite më parë punën për ekzaminimin e eshtrave.
“Ishte një adoleshent i zhdukur në zonën e Lezhës, kockat e tij kishin dalë në sipërfaqe nga kafshët, ekspertët na sollën mbetje kockore, ne bëmë krahasimin me familjen e tij dhe identifikimin e kockave”, tregoi Aleksandër Bushati, ekspert ADN-je.
Ndërkohë, një vit më parë, kur Gjykata e Lezhës caktoi dënimin burg përjetë për Cenajn, avokati i familjes së viktimës, Eduart Mullaraj kërkoi zgjerim të hetimeve, pasi sipas tij në këtë krim janë të përfshirë dhe persona të tjerë.
“Jemi të kënaqur me vendimin e marrë nga trupi gjykues. Do vazhdoj të këmbëngul për zbardhjen e kësaj të vërtete duke dalë dhe të tjerë që kanë qenë pjesë e këtij grupi për ekzekutimin e Mariglen Gjonajt. Ne po vazhdojmë edhe me hetime të tjera për të zbardhur të gjithë të vërtetën e këtij krimi”, tha avokati.