Një video në TikTok ka çuar në njohje të reja për rastin e Sofia Juarez, e cila ishte rrëmbyer një ditë para ditëlindjes së pestë të saj më 2003 derisa po ecte afër shtëpisë së saj, sipas policisë në Kennewick të Washingtonit.
Përdoruesit e aplikacionit TikTok e kanë kontaktuar policinë e Kennewickut pas videos ku shihej një grua në Meksiko, për të cilën thanë se përputhej me moshën e përafërt dhe pamjen e Juarezit.
Në video, gruaja intervistohet në spanjisht nga një personalitet i njohur në TikTokut. Kur u pyet për moshën, tha se është 22-vjeç dhe shtoi se i urrente ditëlindjet. Më pas, ajo tha se do të donte të fliste me familjen e saj sepse njerëzit i kishin thënë se ishte rrëmbyer, por ajo nuk e di se nga cili vend është, shkruan CNN.
Juarezi tash do të ishte 23-vjeç dhe përdoruesit e TikTokut thonë se gruaja në video i ngjason vajzën së zhdukur vite më parë.
Hetuesi special i Policisë së Kennewickut, Al Wehner, ka thënë se kanë kontaktuar me intervistuesit e gruas në videon në TikTok dhe se ai po u ndihmon ta gjejnë.
Wehner ka shtuar se disa njerëz që pretendojnë se janë familjarë të gruas në video kanë kontaktuar TikTokun duke i thënë se ajo nuk është Sofia Juarez dhe që të ndërpriste shpërndarjen e videos. Ai i ka parë të dyshimta këto thirrje, pasi që kur hetuesit provuan të komunikojnë me ta, ata nuk iu përgjigjen thirrjeve. Hetuesit shpresojnë se gruaja do të bëjë një test ADN-je për ta krahasuar me atë të Juarezit e cila është në dosje.
Nëna e Sofias vdiq më 2009, por hetuesit janë në kontakt të ngushtë me familjarët tjerë.