Fëmijë të infektuar nga sëmundjet e lëkurës, rrugë të përmbytura, tubacioni i ujësjellësit nën ujë, oborret e shtëpive nën pushtetin e ujit, duke përpirë edhe shtyllat mbajtëse të këtij transformatori të energjisë elektrike, këto janë pamje që vinë nga fshati Breg Lumë i Kukësit.
Banorët ndodhen nën pushtetin e ujit prej më shumë se një muaji. Rritja mbi kuot e nivelit të liqenit të Kukësit, siç pretendojnë banorët e përmbytur, ka bllokuar rrugën e fshatit, përmbytjen e të mbjellave.
Nën pushtetin e ujit është edhe tubacioni i ujësjellësit, që këto banor përdorin për të pirë ujë edhe sot.
Ndihma e shtetit nuk ndihet asgjëkundi pohojnë banorët.
“Për tre ditë është bërë kështu. Është bërë brenda në ujë, nga papastërtitë dhe mbetjet që ka brenda. Liqeni brenda është shumë i pisët, nuk kalohet nga era e fortë që vjen. Kemi kërkuar ndihmë dhe nuk ka ardhur askush për ta parë se si është gjendja.
Nuk kanë asgjë për ne. Kanë ikur shumë veta nga kjo zonë, vetëm 4 familje kemi mbetur. Edhe ujë të pijshëm mezi kemi, është gjendje shumë e keq”, denoncon një banore.
Ujërat e liqenit të Firzës kanë përmbytur qytetin e Kukësit dhe 24 fshatra të tij në vitin 1978 së bashku me 5200 hektar tokë për ti dhënë dritë Shqipërisë, por shpronësimi nuk u bë kurrë e vuajtjet e këtyre banorëve vijojnë edhe sot.