Gjermania po planifikon të dërgojë 2700 raketa të tjera kundërajrore në Ukrainë, njoftuan mediat gjermane të enjten në mëngjes.
Raketat tokë-ajër “Strela” të cilat dikur i përkisnin arsenalit të vjetër të Ushtrisë Popullore Kombëtare të Gjermanisë Lindore të kontrolluar nga sovjetikët, janë miratuar për eksport nga ministria ekonomike e Gjermanisë, por ende presin miratimin zyrtar nga Këshilli federal i Sigurimit.
Raketat kundërajrore pasojnë 1000 armë antitank dhe 500 raketa Stinger që qeveria gjermane njoftoi gjatë fundjavës se do të dërgoheshin në Ukrainë.
Përveç kësaj, qeveria e kancelarit Olaf Scholz ka ndezur dritën jeshile për dërgimin e armëve nga Holanda dhe Estonia që dikur i përkisnin Gjermanisë Lindore.
Edhe Spanja do të dërgojë nesër 1370 granatahedhës antitank në Ukrainë si pjesë e dërgesës së saj të parë të armëve sulmuese për të ndihmuar kundër pushtimit rus.
Ngarkesa do të përfshijë gjithashtu mitralozë të lehtë dhe 700,000 fishekë pushkë dhe municione automatike, tha Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles.
“E gjithë kjo do të shkojë me avionë të forcave ajrore spanjolle në një vendndodhje në Poloni afër kufirit, ku zyrtarët ukrainas do ta marrin atë,” tha Robles në një intervistë për kanalin televiziv spanjoll Antena 3, raporton CNN
Ndërkohë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock bëri thirrje të enjten për një hetim urgjent të asaj që ajo e quajti shkelje të të drejtave të njeriut të kryera nga Rusia gjatë pushtimit të saj në Ukrainë.
“Ne duhet t’i kundërvihemi këtij sulmi. Të drejtat e njeriut janë universale”, tha Baerbock në një video-mesazh drejtuar Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.