Ukraina ka kryer sulm masiv me dronë në Moskë dhe rajonin e saj, duke vrarë të paktën një person dhe duke dëmtuar ndërtesa të banimit dhe infrastrukturë tjetër, teksa diplomatët prej Uashingtonit dhe Kievit përgatiten për t’u takuar në Arabinë Saudite.

Sipas Andrei Vorobyovit, guvernatorit të rajonit të Moskës, tre persona janë plagosur në sulmet që kanë ndodhur në orët e para të 11 marsit. Për viktimat është raportuar për qytezën Vidnoje dhe fshatin Jam, afër qytezës Domodedovo.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se 337 dronë të nisur nga Ukraina janë rrëzuar.

Ende nuk dihet saktë se sa dronë janë përfshirë në këtë sulm, më të madhin në territorin rus në javët e fundit.

Ky sulm ka ndodhur teksa zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas po përgatiten që të takohen në Arabinë Saudite për të diskutuar se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.