Ukraina lë pas humbjen me Holandën dhe merr tri pikët e para në grupin C, duke mposhtur 2-1 Maqedoninë e Veriut. Ukraina e mbylli 2-0 në avantazh pjesën e parë kundër Maqedonisë së Veriut. Yarmolenko ishte ai që realizoi golin e parë në minutën e 29’.
Sulmuesi ukrainas nuk e pati të vështirë të shtynte topin nga afër për në rrjetë. Me këtë, Andriy Yarmolenko u bë futbollisti më i mirë në historinë e Ukrainës si kontribues në gola! Ai ka 42 gola dhe 21 asistime për Ukrainën në 96 paraqitje.
Ai ka kaluar Shevchenkon, që sot është trajner, i cili e përfundoi me 48 gola dhe 13 asistime. Goli i dytë erdhi 5 minuta më vonë. Yaremchuk përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes maqedonase dhe nuk fali përpara portës. Maqedonasit ngushtuan diferencën në minutën e 39-të me një goditje të bukur të Pandev, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, shihet një Maqedoni më agresive. Dhe në minutën e 57’ përfiton penallti. Alioski gabon fillimisht nga 11-metërshi, portieri e pret, por më pas korrigjon, teksa në rënie e sipër godet saktë për të ngushtuar në 2-1. Goli i dytë i Maqedonisë në Evropian.
Penallti përfiton edhe Ukraina në minutën e 83’, por Malinovsky nuk shënon dot. Portieri maqedonas priti gjuajtjen e sulmuesit të Atalantës. Gjithsesi, Ukraina mban avantazhin deri në fund.
Fax web