Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Pogradecit në kuadër të një operacioni anti-drogë të koduar “Unaza”. Në pranga janë vënë A. Gj., 21 vjeç; R. Gj., 24 vjeç; D. P., 22 vjeç; Xh. O., 41 vjeç; K. Z., 18 vjeç dhe S. O., 19 vjeç. Blutë kanë sekuestruar 21.14 gram kokainë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje.
Nën sekuestro janë vënë një automjet tip “ Mercedez Benz”, 7 telefona celularë dhe sende të tjera që përdoreshin nga personat e arrestuar për trafikimin e lëndës narkotike.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Unaza”. Operacioni i zhvilluar pas një hetimi 2-javor, nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.
Vihen në pranga 6 shtetas. Sekuestrohen 21.14 gram kokainë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Renda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas një hetimi 2-javor, falë punës së mirëorganizuar, finalizuan operacionin e koduar “Unaza” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve A. Gj., 21 vjeç; R. Gj., 24 vjeç; D. P., 22 vjeç; Xh. O., 41 vjeç; K. Z., 18 vjeç dhe S. O., 19 vjeç, banues në Pogradec.
Në kuadër e funksion të këtij operacioni, shtetasit e mësipërm, kanë qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të shërbimeve policore dhe mbrëmjen e djeshme, janë kapur në flagrancë në unazën e qytetit të Pogradecit, ku nga kontrollet e ushtruara u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 21.14 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje, një automjet tip “ Mercedez Benz”, 7 telefona celularë dhe sende të tjera që kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.