Takimi me të madhin Maks Velo është një nga pikat kyçe që ndryshoi karrierën e piktores Adriana Puleshi.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ajo tregoi se gjithçka ndodhi fare rastësisht, kur ajo ishte student dhe po pikturonte te Uji i Ftohtë në Vlorë. Velo në atë kohë sapo kishte dal nga burgu dhe u prezantuan.

Puleshi zbuloi që vite më vonë, ai e ftoi për një projekt me piktura nudo organizuar nga Ambasada e Hungarisë.

“Ka qenë një takim shumë interesant. Unë isha te Uji i Ftohtë me telajo dhe më ndaloi një personazh dhe më pyeti nëse isha studente. Më pas më tha ‘Unë jam Maks Velo, arkitekt dhe piktor, sapo kam dal nga burgu’. Unë ngela, por nuk ika, se edhe mund të ikja. Vajta të punoja lart. Kur vjen të më sjell një karrige, sepse unë isha ulur diku dhe më vë radio që unë gjatë pikturimit të dëgjoja muzikë. Piktura më doli shumë e bukur, me shkëmbinj nga deti.

Pastaj më vonë, jemi takuar pas shumë vitesh. Nga Ambasada Hungareze kërkonin piktor që pikturonin nudo dhe ai më kishte shkruar emrin. Takohemi një ditë rastësisht se atëherë nuk kishte celular, edhe shkuam aty, ata donin të kopjonin disa nga nudot tona. Zgjati disa kohë kjo dhe ne u paguam. Kështu vijoi”, rrëfeu ajo./abcnews.al