Numri i studentëve në arsimin e lartë ka pësuar rënie me rreth 13% nga vitet shkollore 2018-2019 deri më 2022-2023, por në degët ku mund të gjesh punë në emigracion ka rritje.
Gjithnjë e më shumë të rinj po u drejtohen degëve që kanë lidhjen me shërbimet shëndetësore. Sipas të dhënave nga INSTAT, më 2023, numri total i studentëve u tkurr me 17,700 që nga viti 2019 me rënie 12.7%, por nga ana tjetër, më shumë të rinj zgjodhën degët në fushën “Shëndet dhe mirëqenie”.
Këtë vit akademik studiojnë në fushat e studimit që lidhen me shëndetësinë 22,834 persona. Numri i studentëve me drejtim degët e shëndetit është më i lartë se nevojat e tregut të brendshëm, por ky trend lajmëron tendencat e emigracionit të profesionistëve në të ardhmen.
Burimet nga Fakulteti i Infermierisë tregojnë se shumica e studentëve, që në vit të parë regjistrohen në mësimin e gjuhës gjermane me qëllim që kur të kenë mbaruar studimet të kenë aftësitë gjuhësore për tu punësuar në tregun gjerman.
Nga të gjitha fushat e studimit, numri i studentëve në katër vitet e fundit u rrit vetëm në degët e Inxhinierisë dhe shëndetësisë, ndërsa në disa fusha ka rënie të mprehtë të studentëve.
Në katër vitet e fundit, rënia më e madhe e numrit të studentëve ishte në “Arte dhe shkenca humane” me 45% ndërmjet 2019 dhe 2023. Më tej në degët “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” numri i studentëve ra me 43% për të njëjtën periudhë.
Studentët në degët e bujqësisë zënë vetëm 2.5% të totalit të studentëve, ndërsa ata në fushat e shëndetësisë, rreth 18% e totalit të studentëve.
Në degët “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari”, që është edhe dega kryesore e ekonomisë, që kontribuon në rreth 19% të PBB-së dhe 44% të punësimit, ishin vetëm 3,108 studentë më rënie 38% nga viti 2019.
Numri i studentëve në këto degë është më i ulëti nga të gjitha fushat, ndonëse kishte një rritje modeste në krahasim me vitin 2021.
Studimet në arsimin e lartë zotërohen nga sektori publik dhe Ministria e Arsimit është rregullatori kryesor i kuotave të studimeve.
Në këtë rol, qeveria shqiptare ka në dorë orientimin e kuotave në studimet për degët që ka më shumë nevojë, për shkak se shpenzimet e shkollimit bëhen me taksat e shqiptarëve.
Por shpërndarja e totalit të studentëve sipas degëve tregon se numri më i ulët e tyre është pikërisht në degët kryesore të ekonomisë, bujqësi dhe shërbime.
Shqipëria është kthyer në një eksportues neto të kapitalit human, me një humbje të pallogaritshme për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. MONITOR