Në ujin e ambalazhuar , në qeset e çajit , madje edhe në Antarktidë dhe në retë… mikroplastikat dhe nanoplastikat tani janë kudo. Madhësia dhe pesha e tyre veçanërisht e vogël favorizojnë transportin e tyre, duke rezultuar në “udhëtimin” e lehtë në ajër, ujë dhe tokë, ku qëndrojnë për një kohë të gjatë, madje edhe në zona të largëta dhe “të paprekura” siç është kontinenti më jugor i Tokës, ndërsa mund të hyjnë në zinxhirin ushqimor.
Studimet e mëparshme tregojnë se njerëzit konsumojnë dhjetëra mijëra grimca mikroplastike dhe nanoplastike çdo vit nga konsumi i ushqimit dhe pijeve, si dhe nga kontakti i ushqimit me paketimin plastik.
Është vlerësuar se 40,000 deri në 50,000 grimca mikroplastike konsumohen çdo vit, ndërsa shkencëtarët vlerësojnë se ekspozimi mund të arrijë edhe në 10 milionë grimca në vit. Shkencëtarët e lidhin konsumin e tyre me inflamacionin sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet e sistemit endokrin, problemet gastrointestinale dhe sistemin imunitar.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha sa më sipër, një studim i ri e lidh ekspozimin ndaj mikroplastikës që përmbahet në ushqim dhe pije me dy probleme të tjera shëndetësore. Një ekip kërkimor nga Universiteti i Kalifornisë, Davis (UC Davis) vëzhgoi efektet e konsumimit të nanoplastikës së polistirenit e cila përdoret në paketimin e ushqimit, ndër të tjera, te minjtë laboratorikë dhe zbuloi se ato mund të ndikojnë në nivelet e sheqerit në gjak dhe të dëmtojnë mëlçinë.
Ekspertët theksojnë se gjetjet kanë të bëjnë me minjtë dhe jo me njerëzit, por janë shqetësuese se si mikroplastikat mund të ndikojnë në shëndetin e kafshëve dhe ngrenë pyetje në lidhje me ndikimin e tyre negativ te njerëzit.