Andrés, vajza kolumbiane që u trafikua në Shqipëri, ia doli të kthehej në shtëpinë e saj në Kolumbi. Por çfarë mësuam nga kjo histori?
Një muaj më parë u vumë në kontakt nëpërmjet medias me Andrés, një vajzë e re kolumbiane e cila kishte ardhur në Shqipëri me premtimin për të punuar në punë të rregullt si kujdestare fëmijësh, por ra pre e një grupi ndërkombëtar trafikimi të qënieve njerëzore, ku u mbajt e mbyllur dhe u shfrytëzua, kundër dëshirës së saj, për disa ditë në qytetin e Elbasanit. Një pjesë e grupit që trafikonte Andrés u arrestua, duke bërë që ajo të vuajë dënimin prej 9 muajsh në burgun e grave në Pogradec, me akuzën për kryerjen e veprës penale “Prostitucion”, pavarësisht se ishte mashtruar dhe shfrytëzuar në Shqipëri për llogari të një grupi kriminal shfrytëzimi të qenieve njerëzore.Pavarësisht pretendimeve të saj se ishte shfrytëzuar dhe provave në telefonin e saj, Andrés e kreu dënimin dhe doli nga burgu në korrik të këtij viti.
Problematika tjetër që has pas lirimit nga burgu ishte marrja e sendeve të sekuestruara, përfshirë pasaportën, me të cilën mund të kthehej në familjen e saj në Kolumbi. Sipas procedurave të shtetit shqiptar, Andrés mund të merrte pasaportën e sekuestruar, vetëm pasi vendimi i Gjykatës të merrte formë të prerë, domethënë 2-3 javë pas lirimit të saj nga burgu. E gjendur pa asnjë mjet identifikimi, pa asnjë të ardhur financiar dhe pa e njohur Elbasanin dhe Shqipërinë, Andrés u përball sërish me mundësinë për t’u trafikuar dhe për të qenë gjithashtu subjekt dhe kryer veprën penale të “Prostitucionit”.
Për fat të mirë, ne, përmes kontaktit me një media lokale, e gjetëm Andrés pikërisht në këtë moment në qytetin e Elbasanit. E ndihmuam të shpëtonte nga rrjeti i trafikimit dhe e strehuam për disa ditë në një hapësirë të sigurt, ku mund të kishte ushqim dhe strehim. Ndërkohë e shoqëruam edhe pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë ku dha edhe deklarimin se ishte trafikuar dhe ku mori edhe statusin e “Viktimës nga trafikimi”. Statusi u mor me shumë vështirësi, pas Drejtoria e Policisë nuk mundej të ofronte një përkthyes të gjuhës spanjolle për të bërë përkthimin. Përkthyesi u gjet dhe u pagua privatisht, por edhe ky moment ngre një pikëpyetje të madhe se çfarë ndodh me raste të tjera të ngjashme, kur viktima shkon të deklarojë e vetme në Komisariat.
Ky muaj ka qenë një nga muajt më sfidues për grupimin tonë, për të cilin ndihemi krenarë se ia kemi dalë mbanë të shpëtojmë një vajzë të re nga rrjeti i prostitucionit dhe ta rikthejmë atë në familjen e saj në Kolumbi. Megjithatë, ky rast na ka treguar shumëçka.
Ky rast i Andrés na tregon shumë qartë se sa i thellë dhe i ndërlikuar është problemi i trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, por edhe se sa e brishtë është mbrojtja e viktimave kur përballen me sistemin e drejtësisë dhe institucionet shtetërore, si dhe ngre alarmin se çfarë po ndodh me shtetasit e huaj në Shqipëri, veçanërisht vajza të reja të cilat vijnë nga shtete si Kolumbia, Kina, Rusia etj.
1. Së pari, ky rast na përball me dështimin institucional për mbrojtjen e viktimave: Një vajzë e re, në kushte të vështira ekonomike në Kolumbi, nënë e vetme e një djali të vogël, vjen në Shqipëri për të punuar (fenomen që po ndodh me ftesën e kryeministrit Edi Rama), e mashtruar dhe e shfrytëzuar, përfundoi duke u trajtuar si fajtore dhe jo si viktimë. Ky është një problem serioz në zbatimin e ligjit dhe në qasjen e shtetit ndaj rasteve të trafikimit. Gjithashtu, ky rast na ngre përpara një pikëpyetje të madhe mbi punësimin e punonjësve të huaj në Shqipëri, duke na treguar se nuk ka institucione të gatshme dhe të afta për ta monituara dhe kontrolluar hyrjen e tyre në Shqipëri dhe trajtimin e tyre.
2. Së dyti, ky rast na përball me një dështim administrativ institucional, si mungesa e mekanizmave të menjëhershëm për ndihmën: Pritja 2-3 javore për kthimin e pasaportës është një boshllëk i madh ligjor dhe praktik që i ekspozon viktimat sërish ndaj rrezikut të trafikimit dhe shfrytëzimit.
3. Mungesa e infrastrukturës për viktimat e huaja: Fakti që Policia nuk ka kapacitete për të ofruar përkthyes tregon se institucionet nuk janë të përgatitura për të trajtuar raste të tilla në mënyrë profesionale e efektive. Kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e viktimave.
Për fund, nevoja për politika më gjithëpërfshirëse është emergjente!
Rasti i Andrés na detyron të kërkojmë politika më të forta në mbrojtjen e viktimave të trafikimit, qasje të ndjeshme gjinore dhe mekanizma realë që garantojnë jo vetëm shpëtimin, por edhe rehabilitimin dhe rikthimin e sigurt të tyre në shoqëri.
Në thelb, ky rast është një thirrje për reformim të menjëhershëm: reforma në sistemin e drejtësisë, në funksionimin e policisë, në ligjet që rregullojnë trajtimin e viktimave dhe mbi të gjitha, në kulturën institucionale që shpesh i sheh viktimat si fajtorë. Ky është një moment politik dhe shoqëror që duhet të shfrytëzohet për të kërkuar një strategji kombëtare më efektive kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, në mënyrë që raste si ai i Andrés të mos përsëriten.
Andrés ia doli të kthehej në shtëpi vetëm një muaj pasi ne e takuam për herë të parë në qendër të Elbasanit, ku na priste e frikësuar me dy valixhet e saj. Por na la pas me një pyetje të madhe: Nëse disa aktivistëve i duhet një muaj për të ndihmuar në kthimin në shtëpi të një viktime trafikimi, sa do t’i duheshin asaj nëse do të ishte e vetme?
*Për arsye sigurie, vajza në këtë artikull do të quhet Andrés, jo me emrin e saj të vërtetë.*