Sot ka nisur procesi i vaksinimit të efektivëve të policisë me vaksinën kineze Covax në qarkun e Elbasanit.

‘’Është shumë e rëndësishme ta bëjmë të gjitha vaksinën. Do ti kthehemi normalitetit, ne vaksinohemi sepse jemi një kategori me risk të lartë’’– u shpreh efektivi i policisë së qarkut Elbasan.

Efektivët e policisë të cilët janë vaksinuar theksojnë se nuk ndjejnë asnjë lloj frike apo shqetësimi dhe se ndihen më të mbrojtur tani.

‘’Nuk ndjejmë asnjë lloj frike apo shqetësimi, e kemi pritur këtë ditë dhe ndihemi më të mbrojtur’’- u shpreh efektivi i policisë.

Lidhur me procesin e vaksinimit të efektivëve të policisë së qarkut Elbasan, Drejtori për kujdesin parësor shëndetësor Xhevahir Budani ka sqaruar se vaksinimi i efektivëve të policisë do të bëhet në qytetet ku ata jetojnë.

‘’Për të shmanguar grumbullimet dhe lëvizjet e panevojshme punonjësit e policisë do të vaksinohen në qytetet ku punojnë. 400 efektivë policie që do të vaksinohen.’’– tha drejtori për kujdesin parësor shëndetësor Xhevahir Budani.

I pyetur në lidhje me numrin e policëve që kanë refuzuar të vaksinohen ai u shpreh se ‘’Urdhri për fillimin e vaksinimit të policisë është dhënë dje, policët janë të gatshëm dhe po vazhdojmë vaksinimin’’.

Ndërkohë që pas efektivëve të policisë, kategoria tjetër e parashikuar për t’u vaksinuar ishin gazetarët por ky proces nuk ka nisur akoma duke qenë se Unioni i Gazetarëve nuk e ka dorëzuar akoma listën e gazetarëve të cilët kanë pranuar të vaksinohen.

Faxweb.al