Në kulmin e debatit për vaksinimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo e Fruth-Rubeolës dhe Shytave akuzohet për ndikim të drejtpërdrejtë në çrregullimin e spektrit autik, në Shqipëri vijon të theksohet hezitimi për ta aplikuar atë.
Mjekët pediatër të qendrave shëndetësore thonë se hezitimi ka qenë dhe vijon të jetë, por ajo që po ndodh është zgjatja në kohë e këtij aplikimi, deri në afate që janë të papranueshme nga protokollet.
“Vijon të jetë problem zgjatja në kohë e dozës së parë të vaksinës së MMR, pra vaksinës që të mbron nga fruthi, rubeola dhe shytat, që aplikohet në moshën 1 vjeç. Ky hezitim zgjatet shumë në kohë, aq sa në mbi moshën dy vjeç, kur tentojnë ta aplikojnë, nuk ka më vlerë, pasi vaksina ka vlerë për moshën që është caktuar”, nënvizoi Sonila Brati, Pediatre QSH.2
Sipas Bratit, edhe doza e dytë e vaksinës së MMR në shumë raste mbetet e pa aplikuar në kohë, për shkak të stepjes që prindërit fitojnë nga debatet që qarkullojnë për këtë vaksinë.
“Po konstatojmë hezitim edhe në moshat 5 vjeç. Prindërit mund ta kenë aplikuar dozën e parë, ndërsa te doza e dytë refuzojnë t’u bëjnë sërish vaksinën fëmijëve. Kjo është e pakuptimtë. Përderisa fëmija e ka marrë një dozë dhe ka qenë shumë mirë, ç’kuptim ka të mos e bësh të dytën?”, shprehet ajo.
Vatrat e infektimeve nga fruthi në fillim të këtij viti detyruan ISHP të dalë me rekomandime për vaksinim edhe të foshnjave 9 muajsh, nëse do të kishte shpërthime brenda grupmoshës 1 vjeç. Sipas këtij institucioni, mbulesa vaksinale në vitin 2024 me një dozë ishte në nivelin 81%, ndërsa me dy doza në 92%, ndërkohë që për të arritur të ashtuquajturin “imunitet të tufës”, mbulesa vaksinale duhet të jetë mbi 95%.